Një kombi-bus me gjashtë udhëtarë është sulmuar me armë zjarri në Gjakovë nga një veturë në lëvizje. Sulmi ka ndodhur të dielën rreth orës 19:00 në rrugën "Gaspër Karaqi" dhe përpos dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se pak momente pas rastit është parë një veturë duke u djegur, që dyshohet se është e përfshira në rastin e sulmit.
“Në të dyja rastet Policia është përgjigjur me zjarrfikësit dhe në konsultim me prokurorinë janë ndërmarrë veprimet e para. Hetimet për këtë rast po zhvillohen nga Sektori Rajonal i Hetimeve së bashku me hetues të stacionit policor në Gjakovë”, thuhet në njoftimin policor.
Deri më tani nuk ka të arrestuar lidhur me rastin.