Reperi nga Shqipëria, Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është liruar nga paraburgimi në stacionin policor të Pejës të shtunën pasi ka paguar dorëzani prej 20 mijë eurosh.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se në seancën e sotme dëgjimore prokurori ia ka mundësuar Stresit edhe mundësinë për të paguar dorëzani shkaku i veprës penale me të cilën ngarkohet.
“Personi i pandehur e ka paguar dorëzaninë, e cila është si lloj garance që të jetë prezent në procedurat gjyqësore që zhvillohen për këtë çështje penale”, ka thënë Nikçi.
Stresi po dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, por Nikçi ka thënë se vepra mund të rikualifikohet pas rezultateve të ekzaminimeve mjekësore që kanë marrë për viktimën.
Stresi u dorëzua në stacionin policor të Pejës të premten në mëngjes.
Në gusht, ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës pasi dyshohet për përfshirjen në sherrin e rëndë që ndodhi në një diskotekë në Pejë po atë muaj.
Për këtë rast po ashtu Noizy dhe DJ Crax u shpallën në kërkim nga Policia e Kosovës. Ata u arrestuan në Shëngjin me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, por Noizy u lirua nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Durrësit, pasi ofroi garanci pasurore prej 5 milionë lekësh.