Kronikë

Shtyhet seanca përfundimtare, shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës mungoi shkaku i simptomave të Covid-19

Seanca e shqyrtimit kryesor e paraparë të mbahet të martën në Gjykatën Themelore të Pejës ndaj shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Sheremeti dhe tre punëtorëve tjerë të kësaj komune, Gëzim Shala, Gëzim Lajqi dhe Ruzhdi Zhara, që të katërt të akuzuar nga Prokuroria Themelor e Pejës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe ndaj Ilir Kelmendit, pronar i një operatori ekonomik në Pejë, i akuzuar për mashtrim, nuk është mbajtur pasi në seancë nuk ishin të pranishëm i Sheremeti dhe avokati i tij Labinot Murati.

Në këtë seancë, e cila është shtyrë për 25 shkurt, ishte paraparë të mbahej fjala përfundimtare dhe të administrohen disa prova të dorëzuara në ndërkohë. “Mbrojtësi i tij, avokati Labinot Murati, përmes postës elektronike ka njoftuar se i pandehuri Durim Sheremeti është i prekur nga virusi Covid-19, për shkak se ka manifestuar shenja simptomatike të këtij virusi dhe për këtë arsye nuk mund të merr pjesë në shqyrtimin e sotëm gjyqësor. Trupi gjykues konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit kryesor për shkak të mungesës së të pandehurit Sheremeti”, tregoi arsyen e shtyrjes së kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar njëri prej të akuzuarve, i pandehuri Gëzim Shala, i cili pohoi se i pandehuri Durim Sheremeti ka qenë para dy muajve i infektuar nga Covid-19.

“Na e dimë se kush e ka pas koronën. Dhe kjo nuk është punë e koronës, por veç me shty gjykimin”, pohoi Shala, i cili punon si shofer në Drejtorinë e Shëndetësisë.

Gjyqtari Sharraxhiu pastaj tha se do të kërkojë zyrtarisht nga avokati i të pandehurit Sheremeti, për të siguruar dëshmitë mbi sëmundjen e tij. Se a ka qenë Durim Sheremeti i sëmurë më herët nga Covid-19, KOHA ka kontaktuar drejtorin e Shëndetësisë, Petrit Loci, i cili si shef i shtabit emergjent për pandemi në këtë komunë, posedon edhe listat me emrat e gjithë qytetarëve të kësaj komune që deri tash kanë rezultuar pozitiv në Covid-19, në testet e kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Durim Sheremeti nuk ka qenë i infektuar më herët nga Covid-19. Ai babën e ka pas të sëmurë nga Covidi dhe në testin që ai e ka bërë atëherë nuk ka rezultuar pozitiv dhe ai nuk gjendet në listë si i infektuar me këtë virus. Tash është hera e parë që Durimi ka simptoma të Covid-19 dhe pasi t’i bëhet testi me strisho (PCR) do të konfirmohet zyrtarisht se është apo jo pozitiv”, tha Loci për KOHËN.

Aktakuza e ngritur nga prokuroria në maj të vitit 2019 ndaj këtyre pesë të pandehurve, ka të bëjë me një dokument zyrtar të nënshkruar në shtator të vitit 2017, i cili ndërlidhet me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial në qendrën sportive në fshatin Brestovik në Pejë, që ishte publikuar në mars të vitit 2017 dhe vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender ka qenë 12 mijë euro.

Sipas të dhënave në tender, makina që kërkohej duhet të ofronte mundësinë për tërheqjen e fijeve të barit artificial, largimin e copave të mëdha, nivelimin e granulatit në tapet dhe brushat që kryejnë veprim deri në 15 milimetra.

Në këtë tender kishte konkurruar vetëm një konsorcium prej dy operatorëve, “Green Construction SH.P.K. dhe N.T.Sh. Ejona”, me ofertën prej 11 mijë e 929 euro, i cili është kontraktuar nga komuna dhe shuma prej 11 mijë e 929 euro qëndron edhe si vlerë e përgjithshme e kontratës. Tenderi për blerjen e asaj makine, ishte shpallur nga Drejtoria komunale për Kulturë, Rini dhe Sport. Pas nënshkrimit të kontratës, operatori e kishte sjellë makinën jo në vlerë të parashikuar në kontratë, e cila nuk ishte pranuar nga drejtori i atëhershëm i kësaj Drejtorie, Engelbert Zefaj, me arsyetimin se makina që është porositur është më komplekse dhe shumë më shtrenjtë sesa makina që e kishte sjellë operatori, një makinë për kositje të barit natyror, të cilën pastaj ia kanë dhënë stadiumit të futbollit në Pejë për kositjen e barit të fushës.

Pranimin e asaj pajisje nuk e kishte nënshkruar as menaxheri i projektit, Faik Zekaj, ish-zyrtar në këtë drejtori, me arsyetimin se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk ishte sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender. Meqenëse dokumenti i pranimit të mallit nuk ishte nënshkruar nga Zefaj e as nga Zekaj, ai dokument kishte mbetur pa u nënshkruar mbi tre muaj. E pa u nënshkruar ai dokument, operatori nuk ka mundur t’i marrë paratë për furnizimin që ka bërë. E këtë dokument pastaj e kishte nënshkruar shefi i kabinetit të kryetarit, Durim Sheremeti, i cili sipas aktakuzës kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë, për çka Shermeti është akuzuar nga prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi sipas aktakuzës, ai me dashje i ka tejkaluar kompetencat. Me atë nënshkrim i është mundësuar operatorit që t’i marrë paratë për furnizimin që ka bërë.

Sipas aktakuzës, makina e barit, që kishte sjellë operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dymijë euro. Me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për 9 mijë e 929 euro, duke i mundësuar që këtë shumë ta përfitojë operatori ekonomik, në këtë rast i pandehuri Ilir Kelmendi, i cili akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale të mashtrimit, që si pronar i firmës “Green Construcion-Shpk”, ka paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore. Tre të pandehurit tjerë, shefi i logjistikës Gëzim Lajqi, zyrtari i pranimit Ruzhdi Zhara dhe shoferi në Drejtorinë e Shëndetësisë Gëzim Shala, po të njëjtën ditë, me 19 shtator të vitit 2017, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, sipas aktakuzës, pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin për makinën e barit dhe pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, kanë nënshkruar pranimin e mallit edhe pse, sipas aktakuzës kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare. Me çka, sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Agron Galani, secili prej këtyre të treve veç e veç, ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë. Mirëpo, këta të tre ndjehen të mashtruar në këtë rast, pasi sipas tyre ata ishin caktuar nga zyra e kryetrarit të bëjnë pranimin e një makine për prerjen e barit pa pasur njohuri profesionale. Të tre, njoftimin se ishin caktuar anëtarë të komisionit, sipas tyre e kishin marr nga i pandehuri Durim Sheremeti. Anëtarët e komisionit caktohen me vendim me shkrim nga kryetari i Komunës dhe të njëjtat u dorëzohen anëtarëve, mirëpo në këtë rast, sipas këtyre të treve, nuk kishin parë ndonjë vendim me shkrim se janë caktuar anëtar të komisionit e as nuk u ishte dorëzuar ndonjë dokumentacion për makinën e sjell nga operatori dhe më pas e kishin nënshkruar pranimin e makinës, përkundër faktit se nuk e kishin shikuar dhe nuk e kishin ditur vlerën reale të saj.

“Na jemi mashtruar”, u shpreh me plotë mllef, pas seancës që nuk u mbajt të martën, i pandehuri Gëzim Shala. Pasi ishte ngritur aktakuzë ndaj tyre nga Prokuroria e Pejës, pesë të pandehurit kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit për të hedhur poshtë aktakuzën, por Gjykata e Apelit i ka hedhur poshtë si të pabazuara ato ankesa dhe në janar të vitit 2020 e ka konfirmuar të ligjshme aktakuzën e ngritur ndaj tyre.