Një shqiptar që grabiti rezidencën e yllit të Arsenalit, Raheem Sterling, duke e detyruar të kthehej në shtëpi nga Kupa e Botës 2022 është dënuar me 13 vjet burgim.
Emiliano Krosi, 24 vjeç, kreu 33 vjedhje, duke përfshirë grabitjen e rezidencës së yllit anglez më 3 dhjetor 2022.
Ai përdori shkallë në kopshtin e pasmë për t’u ngjitur në dritaren e dhomës së gjumit të Sterlingut dhe vodhi dhjetë nga orët Rolex. Rreth 360 mijë euro zbukurime u morën gjithashtu nga shtëpia e futbollistit.
Krosi, i cili udhëtoi ilegalisht drejt Britanisë së Madhe, ka pranuar më parë se është përfshirë në 15 vjedhje.
Policia e Surreyt vazhdon të kërkojë babanë e tij Alfred Isufi, 48 vjeç, xhaxhain Henri Osman, 44 vjeç dhe kushëririn 22-vjeçar Gerard Kalaja, të cilët besohet se janë arratisur nga Britania.
Ata dyshohet se janë pjesë e bandës që grabiti shtëpi në të gjithë qarqet nga nëntori 2022 deri në mars 2023. Viktimat e tjera përfshijnë ish-lojtarin e Crystal Palace, Scott Dann dhe lojtarin e Chelseat, Marc Cucurella.