Një laborator për prodhimin e substancave narkotike është shkatërruar nga Policia e Kosovës të premten në Leshak të Leposaviqit, ka njoftuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Sipas Sveçlës, vlera e laboratorit të shkatërruar ishte rreth 250 mijë euro.
“Çdo ditë e më shumë po e kuptojmë pse qarqe të caktuara nuk dëshirojnë shtrirjen e sundimit të ligjit dhe rendit në tërë Republikën e Kosovës. Policia e Kosovës sot ka shkatërruar një laborator të gatshëm të fillojë përpunimin e substancave narkotike. Laboratori i shkatërruar në Leshak të Leposaviçit ka pasur të montuara dhe të gatshme për përdorim të gjitha pajisjet e përpunimit të substancave narkotike. Vlera e pajisjeve të konfiskuara është rreth 250.000 euro”, ka njoftuar Sveçla.
Sveçla përgëzoi njësitet e Policisë, duke u zotuar se nuk do të ndalen së zbatuari misionin e përbashkët për luftimin e krimin.