Kronikë

“Shisnin” para false në TikTok, arrestohen pesë persona që përfituan 20 mijë euro

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona, të cilët dyshohet se përmes rrjetit social TikTok kanë shpërndarë video se “bëjnë shitjen e parave të falsifikuara si kartëmonedha dhe monedha metalike”.

Siç ka njoftuar Policia, arrestimi i tyre erdhi pas hetimeve disamujore. Vlera e përfitimit, që këta të dyshuar kanë marrë është rreth 20 mijë euro, sipas Policisë.

“Gjatë hetimit profesional janë siguruar prova se personat e dyshuar me iniciale (F. V.) mashkull/kosovar, (S. A.) mashkull/kosovar, (A. V.) mashkull/kosovar, (B. R.) mashkull kosovar dhe (E. V.) mashkull/kosovar, janë marrë me veprimtari kriminale ku kanë mashtruar dhjetëra persona kinse do të ju shesin para të falsifikuara, derisa në anën tjetër personat që kanë tentuar të blejnë para të falsifikuara, kanë kryer vepër penale nga neni 296 paragrafi 4 i KPRK-së. Vlera e përfitimit që këta persona kanë përfituar me anë të mashtrimit është rreth njëzet mijë (20,000) euro”, thuhet në njoftim të Policisë.

Policia po ashtu ka njoftuar se të martën ka kontrolluar shtëpitë e pesë të dyshuarve në Viti dhe ka sekuestruar: një granatë dore, një armë automatike, një karikator i armës, 52 fishekë, një telefon mobil.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.