Tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një objekti në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës.
Lajmi për KOHËN u konfirmua nga majori Milazim Lumi, pas mesnatës të shtunën. Ai ka thënë se bëhet fjalë për shembjen e një objekti që s’ka qenë i banuar.
Ka thënë po ashtu se ka pasur përpjekje nga fshatarët që të nxirren fëmijët, por se kjo nuk është arritur dhe se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tyre.
Ndërkaq detaje ka ofruar në një përgjigje edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Policia dhe ekipet tjera janë në vend të ngjarjes.
”Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Nga shembja e objektit vdiqën dy fëmijë 15-vjeçarë dhe një 14-vjeçar.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, shprehu dhimbjen për këtë ngjarje tragjike dhe dërgoi ngushëllime për familjet e prekura.
“Jam i tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë sonte! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet! Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen!” - tha Gjini.
Gjini theksoi nevojën për mbështetje në këto momente të vështira.
“Le të bëjmë krejt çka mundemi të jemi me familjet në këto çaste të rënda! Qofshin të parajsës engjujt!” - tha ai.
Abdixhiku kërkon hetim të plotë e të shpejtë për vdekjen e tre të miturve në Gjakovë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga organet kompetente që ta hetojnë plotësisht dhe shpejt rastin e vdekjes së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës.
Në emër të partisë që drejton, Abdixhiku ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.
“Me dhimbje e pikëllim të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e tre fëmijëve në tragjedinë në Jabllanicë të Gjakovës. Në emër të gjithë anëtarësisë së LDK-së, ju shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve, ndërsa në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë tyre dhe lutemi që ta përballojnë këtë humbje të madhe. Po ashtu lus që të gjitha organet kompetente të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat e kësaj tragjedie”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja.
Ngushëllime ka shprehur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“I tronditur nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës. Bashkëndjejmë me familjet Rama, Mehmeti e Morina, që humbën fëmijët. Zoti ju lehtësoftë dhembjen”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kurti: Vdekja e trefishtë në Gjakovë pikëlloi dhe tronditi mbarë popullin
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për familjet e tre fëmijëve që vdiqën mbrëmë në Jabllanicë të Gjakovës.
Kurti ka thënë se Qeveria është pranë këtyre familjeve në këto ditë të vështira.
Ai ka shtuar se vdekja e trefishtë e ka pikëlluar dhe tronditur mbarë popullin.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, ku mbrëmë e humbën jetën tre fëmijë, pas shembjes së një objekti të pabanuar. Në këtë periudhë të rëndë, u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve Mehmeti, Rama dhe Morina, duke u lutur që të gjejnë forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është pranë jush në këto ditë të vështira. Kjo vdekje e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin tonë dhe na ka tronditur të gjithëve. Tre djelmoshat u prehshin në paqe”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Konjufca kërkon hetime për vdekjen e tre fëmijëve në Jabllanicë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar hetime të detajuara dhe në kohë sa më të shpejtë, për rastin tragjik në Jabllanicë të Gjakovë ku tre fëmijë vdiqën të shtunën mbrëma pas shembjes së pllakës së një objekti të pabanuar.
“Është e dhimbshme dhe e papërshkrueshme humbja e jetëve të tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovës. Bëj thirrje që në kohën sa më të shpejtë të kemi hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit. Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët që humbën më të dashurit e tyre, në këto momente jashtëzakonisht të vështira për ta dhe gjithë shoqërinë tonë, duke u lutur që të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe!” – ka shkruar Konjufca në Facebook.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë reaguar për rastin duke thënë se në këto momente të vështira për familjet, qëndrojnë pranë tyre.
Ata e kanë cilësuar ngjarjen si tragjedi të thellë e dhimbje të madhe për të gjithë.
Osmani shpreh ngushëllime për familjarët e tre fëmijëve të vdekur në Jabllanicë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjarët e tre fëmijëve që vdiqën të shtunën mbrëma në Jabllanicë të Gjakovës pas shembjes së një objekti të pabanuar.
“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre. Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe!” – ka shkruar Osmani në Facebook.