Dyshohet se nuk pësoi vetëm një grua nga mashtrimi e shantazhi përmes internetit të dy personave, prej të cilave synimi ishte t’u nxirrnin të holla.
Pas hetimeve mujore, Policia ka realizuar një aksion në dy lokacione në Pejë dhe Klinë mbi dyshimet për mashtrim e shantazh përmes internetit. Policia ka thënë se një gruaje, duke e mashtruar, ia kanë marrë 80 mijë dollarë.
“I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme për të gjetur dhe joshur viktimat. Motivi kryesor i joshjes ka qenë lidhje dashurie. Gjatë komunikimit viktima ka shkëmbyer me të dyshuarin, përveç tjerash, edhe fotografi dhe video intime. Me qëllim të zhvatjes financiare të viktimës, i dyshuari kryesor ka përdorur arsyetime të ndryshme duke u thirrur në atë se të hollat i duhen për shërim të anëtarëve të ngushtë të familjes të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, pastaj për të dërguar trupin e pajetë të familjarit të ngushtë në Kosovë si dhe arsyetime tjera të ngjashme. Të dyshuarit kanë arritur të mashtrojnë viktimën e cila i ka dërguar të dyshuarit para përmes unioneve financiare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Pejë.
Më pas, viktimën e ka shantazhuar dhe kanosur se do t’ia publikonte fotografitë e videot intime nëse shkonte në Polici.
“Dyshohet se numri i viktimave në këtë rast, shtetase të huaja (por të nacionalitetit shqiptar), është më shumë se një”, thuhet në njoftim.