Gjykata e Apelit të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatëve mbrojtës për hedhien e aktakuzës dhë kundërshtim të provave në rastin e “faljes së hidrocentralit”.
Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në rastin ndaj Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha e Arben Gjukës dhe çështja penale ndaj tyre, do të vazhdojë sipas procedurës penale.
Të pandehurit në fjalë, po akuzohen nga ana e Prokurori Special për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” nga neni 422 par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovë (KPRK).
Gjykata e Apelit po ashtu, e ka refuzuar edhe ankesën e Prokurorisë Speciale, për të akuzuarit tjerë në këtë rast: L.F., F.H., F. Ç., M. R., A. N., F.K., I. I., G. J., B. B., G. Sh., N. H., A. A. Procedura penale ndaj tyre është pushuar, për shkak të parashkrimit relativ te ndjekjes penale.
“Gjykata e Apelit gjeti se aktvendimi i ankimuar, nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe se gjykata e shkalles së parë, ka vendosur drejtë dhe ligjshëm, duke dhënë arsye të mjaftueshme, kur i ka trajtuar kërkesat e mbrojtësve, për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim te provave”, thuhet nga Gjykata e Apelit.
Në tetorin e vitit 2012, katër ministra të Qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Hashim Thaçi, e kishin ngritur dorën, për të miratuar shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit për 26.3 milionë euro.
Në këtë shitje të aseteve publike ishin kontrabanduar hidrocentrale të vogla dhe këta ish-ministra, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq do të thonin se nuk kanë pasur njohuri se janë aty.
Në listën e aseteve që i janë bartur konsorciumit “Calik & Limak” ishin “përvjedhur” katër hidrocentrale, me një kapacitet të instaluar prej 14 megavateve. Në to, gjatë viteve të fundit, janë investuar miliona euro, raporton KOHA. Kostoja e ndërtimit të një megavati shkon deri në 2 milionë euro.
Nuk dihet sa është vlera e tregut e hidrocentraleve, por nëse merret një mesatare e mjeteve të investuara në këto hidrocentrale dhe kostos së ndërtimit të hidrocentraleve të reja, del që kanë një vlerë rreth 20 milionë euro.
Falja e katër hidrocentraleve duket të jetë bërë në mënyrë të mistershme, duke i kontrabanduar gjatë procesit të privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit. Palët e përfshira ia hedhin fajin njëra-tjetrës për faljen e hidrocentraleve.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Citakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.