Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar katër raste të dhunës në familje, dy në Prishtinë, një në Fushë-Kosovë e një në Gjakovë.
Në një rast në Prishtinë babë e bir janë arrestuar pasi ishin përfshirë në një rrahje mes vete.
Policia ka thënë se fillimisht babai dyshohet se kishte sulmuar bashkëshorten e tij, ndërsa djali më pas i ka dalë në mbrojtje nënës duke e sulmuar babanë.
Të dy janë dërguar në mbajtje.
“Prishtinë, 08.06.2024-18:40. Janë arrestuar dy të dyshuar kosovar (babë e djalë), pasi që të njëjtit janë përfshirë në sulme fizike ndaj njëri-tjetrit, për shkak se fillimisht i dyshuari - babai kishte sulmuar viktimën kosovare-bashkëshorten e vet, ndërsa i dyshuari - djali kishte ndërhyrë në mbrojtje të viktimës-nënës së vet duke e sulmuar të dyshuarin - babanë, të cilit i ka shkaktuar lëndime. Të dyshuarit - babait i është ofruar tretman mjekësor në QKUK, ndërsa pas intervistimit të palëve të përfshira, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport të policisë.
Në një rast tjetër në Prishtinë, bashkëshortët janë rrahur mes vete dhe kanë pësuar lëndime trupore.
Gruaja ka refuzuar strehimin dhe deklaroi se nuk ndihet e rrezikuar, ndërsa me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt, siç është njoftuar në raportin 24-orësh të policisë.
Në Fushë-Kosovë burri ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten, ajo e kishte lënduar në dorë. Viktima ka marrë tretman mjekësor e rasti ka shkuar në procedurë të rregullt, thuhet në raport.
E në Gjakovë, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një burrë, nën dyshimin se e ka sulmuar një grua me të cilën ishte në lidhje.