Është lënduar rëndë një punëtor i kompanisë “Linda”, e cila në konsorcium me kompaninë “Bardhi” po kryen punimet te nënkalimi në hyrje të Ferizajt, afër Stacionit të Policisë. Në kushte anonimiteti, punëtorët kanë thënë se rasti është tentuar të mbahet i izoluar.
KOHA ka siguruar një video në të cilën shihet punëtori i shtrirë në tokë dhe kolegët duke u munduar t’i japin ndihmën e parë.
Rasti ka ndodhur të martën e kaluar, por ai nuk është raportuar në Polici, edhe pse pronarët e kompanisë e kanë dërguar të lënduarin për ndihmë mjekësore në Spitalin e Ferizajt.
Pas pyetjeve që ka dërguar KOHA për këtë rast të martën, Policia e Ferizajt ka njoftuar se ka nisur hetimet. Kjo gati një javë pasi ka ndodhur ngjarja. Në Polici kanë thënë se rasti nuk është raportuar nga askush.
Një nga punëtorët që ka thënë se ka qenë në vendin e ngjarjes, në kushte anonimiteti ka deklaruar se dëshiron ta raportojë këtë rast, i cili sipas tij është tentuar të mbahet i izoluar dhe të mos raportohet në Polici.
“Dua të raportojë një ‘skandal’ që na ka ndodhur gjatë punimeve të ndërtimit të nënkalimit në Ferizaj, te Stacioni i Policisë. Ne ditën e enjte është lënduar një punëtor, siç shihet edhe në videon që po ua dërgoj. Kjo ngjarje nuk është raportuar as në Polici ose Inspektorat dhe as në ndonjë institucion tjetër. Ne jemi punëtorë të kompanisë ‘Bardhi’ që jemi të kontraktuar nga Komuna për ndërtimin e nënkalimit dhe jemi shtrënguar që këtë ngjarje mos ta diskutojmë me askënd dhe na kanë thënë që s'guxojmë ta raportojmë askund. Ju kisha lutur që ta mbani anonim identitetin tim sepse mund të më kushtojë”, ka thënë ky burim.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për KOHËN se nuk kanë pranuar asnjë informatë lidhur me këtë rast. “Policia Rajonale e Ferizajt , në momentin që ka pranuar informatën nga ju, ka nisur trajtimin dhe në bazë të gjetjeve do t’i marrë masat e nevojshme dhe do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Veseli.
KOHA po ashtu ka kontaktuar edhe me drejtorin e infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Meriton Hajdini, i cili ka dhënë pak detaje për rastin. “Jemi informuar nga kompania atje se gjatë punimeve është lënduar një punëtor dhe i cili është dërguar për trajtim në spital. Nuk di asgjë më shumë”, ka thënë shkurt Hajdini.
Përfaqësuesi i kompanisë “Bardhi”, Besim Sylejmani, ka theksuar se punëtori është i kompanisë “Linda” dhe se sipas tij kompania “Bardhi” është adresa e gabuar për të kërkuar përgjigje lidhur me rastin.
“Së pari ai punëtori është i kompanisë ‘Linda’. Ne kemi qenë duke punuar bashkë të gjithë dhe ai punëtori është rrëzuar duke lëvizur, pastaj e kemi dërguar në emergjencë dhe ia kanë bërë disa fotografime dhe ultrazë në kokë. Për fat të mirë gjendja e tij është e mirë dhe tani është dërguar në shtëpi. Policia ka qenë në emergjencë. Pra, ju e keni thirrur kompaninë ‘Bardhi’ dhe e keni adresën e gabuar”, ka thënë Sylejmani.
KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga pronari i kompanisë “Linda”, Hysri Berisha, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Ndërkohë as në telefon e as në pyetjet e KOHËS nuk është përgjigjur drejtori i spitalit rajonal në Ferizaj, Selajdin Sallahu.
Ndërsa menaxheri i projekteve në organizatën INPO, Rexhep Maloku, ka thënë se rastet e tilla ndodhin për shkak të papërgjegjësisë së operatorëve ekonomikë dhe të institucioneve komunale të inspektimit.
“Fatkeqësisht në nënkalimin e parë humbi një jetë njeriu për shkak të mungesës së kushteve elementare të punës dhe papërgjegjësisë së operatorëve ekonomikë dhe institucioneve komunale të inspektimit dhe të menaxhimit të kontratës. Edhe kësaj here nuk janë respektuar kushtet e punës, por është cenuar edhe siguria publike derisa kryhet një projekt i madh publik. Është dështim i radhës i Komunës që nuk kujdeset për punëtorët dhe qytetarët gjatë realizimit të këtij projekti”, është shprehur Maloku.