Prokuroria Speciale e Kosovës ka propozuar shqiptimin e masës institucionale edukative ndaj 16-vjeçarit, B.M, që dyshohet se kishte përgatitur një sulm ndaj disa nxënësve të një shkolle të mesme në Pejë.
Sipas propozimit të Prokurorisë, i dyshuari do të dërgohet në institucionin edukativo-korrektues për shkak të veprës penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.
KOHA pati raportuar ditë më parë rreth ndalimit të të miturit teksa sipas burimeve të dyshuarit i është sekuestruar një fletore me emra të nxënësve dhe klasat e tyre, me mbishkrimin “Project targets”.
Burime të KOHËS kanë thënë se gjithçka ka filluar me një video-mesazh në rrjetin social TikTok e po ashtu sulmi ishte planifikuar që të ndodhte gjatë festës së Halloweenit.
Po ashtu i dyshuari kishte kontakte me disa persona jashtë shteti përfshirë edhe një në Serbi që kishte kryer në maj një sulm në një shkollë në Beograd ku patën mbetur të vrarë 8 nxënës.