Arsim Syla, i akuzuar për vrasjen që ka ndodhur në shtatorin e vitit të kaluar në një market në Podujevë, i ka mohuar akuzat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Organi i akuzës ka pretenduar se ai e ka shtyrë të birin e tij, ende të mitur dhe i cili është në kërkim të Policisë, që ta kryente vrasjen me qëllim të hakmarrjes
Është mbajtur të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë shqyrtimi fillestar për rastin gjyqësor në të cilin Arsim Syla është i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje me të birin e tij, më 11 shtator të 2023-tës, në një market në Podujevë.
Syla i ka mohuar akuzat, teksa në kërkim të institucioneve të drejtësisë vazhdon të jetë i biri i tij 17-vjeçar, Lordi Syla, i cili ka edhe shtetësi holandeze.
Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë, të lexuar në seancë, babai e ka shtyrë të birin që ta vriste personin me inicialet V.B., i cili në momentin tragjik po shoqërohej nga bashkëshortja dhe i biri i tyre.
“I pandehuri Arsim Syla, me qëllim të hakmarrjes e për shkak të një konflikti që kishte pasur gjatë vitit 2022 me tani të ndjerin V. B. dhe Sh. R., ka porositur djalin e tij, të miturin Lordi Syla, që ta privonte nga jeta tani të ndjerin V.B., duke kontribuuar thelbësisht në privimin nga jeta e tani të ndjerit V.B, e duke rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë, në atë mënyrë që: më datë 11.9.2023, rreth orës 11:30, i pandehuri Arsim Syla me djalin e tij të mitur Lordi Syla shkojnë në kafiterinë e marketit ‘Interex’, që gjendet në katin e parë, në rr. ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë”, thuhet në aktakuzë.
Në aktin akuzues theksohet po ashtu se edhe bashkëshortja e viktimës ka marrë plagë nga të shtënat me armë zjarri.
“...i pandehuri Arsim Syla e orienton të miturin Lordi Syla në drejtim të të ndjerit V.B. dhe i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Arsim Syla vazhdon të dalë nga objekti. Në momentin kur tani i ndjeri V.B. së bashku me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S. dhe fëmijën e tyre, arrin te sektori i produkteve të qumështit, i mituri Lordi Syla i afrohet nga mbrapa dhe nga afërsia fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V.B. duke e qëlluar në shpinë dhe qafë. Njëra nga predhat tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B. dhe e qëllon edhe të dëmtuarën, bashkëshorten e tij L.S., e cila ka filluar të ikë në momentin kur ka dëgjuar krismën”, shkruhet në aktakuzë.
Tutje në aktakuzë është thënë se i dyshuari në atë moment ka nxjerrë nga çanta revolen tjetër, me të cilën e ka qëlluar edhe katër herë në kokë viktimën.
Aktakuza është ngritur më 18 mars dhe, sipas saj, gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, Arsim Syla, janë sekuestruar një pistoletë me 62 fishekë, një pushkë gjuetie me leje e me 20 fishekë dhe dy jelekë antiplumb. Ndër provat që i ka listuar Prokuroria në aktakuzë janë 21 CD të videoincizimit të rastit dhe tri raporte analitike të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë lidhur me videoincizimet e këtij rasti.
Shkaku që i pandehuri i ka mohuar akuzat, gjykata e ka udhëzuar atë për ankesë brenda afatit 30-ditor lidhur me provat dhe aktakuzën.