Kronikë

Prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkojnë që Remzi Shala të shpallet fajtor për krime lufte

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit vazhdoi rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile. Në paraqitjen e fjalëve përfundimtare, Prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkuan që i akuzuari të shpallet fajtor, përderisa mbrojtja ngriti pretendimin se Prokurori e ndryshoi aktakuzën

Me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga Prokuroria dhe nga pala e dëmtuar, të mërkurën vazhdoi rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile.

Prokurori special, Haki Gecaj, theksoi se gjatë procedurës penale është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale që i vihet për barrë në aktakuzë dhe kërkoi që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas Kodit Penal.

Kërkesa u mbështet nga avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, por mbrojtësi i të akuzuarit, Blerim Mazreku, pretendoi se prokurori e ndryshoi aktakuzën në fjalën përfundimtare.

“Ne si mbrojtje e kundërshtojmë proceduralisht ndryshimin e aktakuzës, siç është paraqitur në fjalën përfundimtare”, ka thënë Mazreku.

Pretendimet e mbrojtjes u kundërshtuan nga prokurori special, Haki Gecaj.

“I nderuar trup gjykues në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një aktakuzë të re”, ka thënë Gecaj.

Kundërshtim pati edhe pala e dëmtuar.

“Unë dhe prokurori i çështjes ishim të përgatitur, dhamë fjalët tona përfundimtare duke konsideruar se përtej çfarëdo dyshimi të bazuar është vërtetuar fajësia e të akuzuarit dhe familja e palës së dëmtuar pret drejtësi shumë gjatë. Tashmë mbushen 25 vjet prej kur kjo çështje ende nuk e ka marrë epilogun”, ka thënë avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha.

Trupi gjykues e refuzoi qëndrimin e mbrojtjes, teksa vlerësoi se bëhet fjalë vetëm për përmirësim të terminologjisë. E mbrojtësi Mazreku tha se ndryshimet në aktakuzë janë esenciale dhe se në tërësi e ndryshojnë teorinë e mbrojtjes teksa kërkoi kohë për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

Gjykata Themelore në Prizren e pati dënuar Shalën me 14 vjet burgim në korrikun e 2019-s për bashkëkryerjen e veprës penale - krime lufte kundër popullsisë civile. Apeli e uli dënimin në 10 vjet burgim, pas ankesës së mbrojtjes. E Supremja e ktheu rastin në shkallën e parë në maj të 2020-s.

Aktakuza e ngarkon Shalën se në qershorin e 1998-s, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, e mori peng Haxhi Përteshin, që disa ditë më vonë u gjet i vdekur në fshatin Duhël. Seanca e radhës për rastin u caktua më 22 qershor.