Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e fjalës hyrëse në rastin ku Millorad Gjokoviqi akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare. Prokurori special, Ilir Morina, paralajmëroi thirrjen e dëshmitarëve okularë që do të dëshmojnë përfshirjen personale të tij në vrasje. Mbrojtësi kryesor i Gjokoviqit, Vasilije Arsiq, tha se rasti është i motivuar politikisht për ta dekurajuar kthimin e të pandehurit në Pejë.
Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte në fshatin Ozdrim dhe fshatrat përreth të Komunës së Pejës gjatë luftës, i ka mohuar akuzat e Prokurorisë Speciale në fjalën hyrëse të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale e akuzon se ishte pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale ku më 7 maj 1999 mori pjesë në vrasjen e 6 personave në Ozdrim e tre të tjerëve në Spitalin e Pejës. Po ashtu, akuzohet për vrasjen e pesë shqiptarëve të tjerë, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur.Prokurori special, Ilir Morina, tha se në këtë proces penal do të vërtetohet fajësia e të pandehurit edhe përmes dëshmitarëve okularë.
“Dëshmitari okular H. Gashi para jush do të dëshmojë se si e pa me sytë e tij vrasjen e viktimës Esat Morina nga i pandehuri Gjokoviq...Dëshmitarja okulare Krasniqi do t’iu tregojë se si ditën e ngjarjes i pandehuri së bashku me një grup të policëve serbë i kishin shkuar në shtëpi, se si e kishin rrahur dhe maltretuar atë dhe nënën e saj. Ajo do t’iu tregojë se i akuzuari Millorad Gjokoviq e kishte goditur me grykë automatikut në pjesën e majtë të gjoksit”, tha Morina.

Mbrojtësi kryesor i Gjokoviqit, avokati Vasilije Arsiq, tha se i akuzuari megjithëse ishte pjesë e forcave policore serbe gjatë luftës nuk ishte fajtor dhe nuk ishte në Ozdrim gjatë asaj periudhu në të cilën përmendet në aktakuzë.
“Aktakuza është e motivuar politikisht sepse Milorad Gjokoviqi është i vetmi person i përkatësisë serbe i cili është kthyer si i zhvendosur të jetojë në fshatin Vitomiricë”, tha Arsiq.
“Do t’ju kisha lutur ju i nderuar trup gjykues, i nderuar prokuror që të më dorëzohen dokumentacionin e nevojshëm që është pjesë e kësaj aktakuze”, tha i akuzuari Gjokoviq.
Prokurori Morina iu kundërpërgjigj, duke i kërkuar gjykatës t’ua tërheqë vërejtjen avokatëve Dejan Vasiq dhe Vasilije Arsiq, meqë po bëjnë komentim politik.
“Është e disata herë që avokatët: ose është me qëllim ose janë të papërgatitur në mbrojtjen e të pandehurve në rastet e krimeve të luftës dhe kjo është e disata herë që po përsëritet kjo. Kërkoj nga gjykata që të mos e lejojë një nivel të tillë të profesionalizmit për arsyet si në vijim... Fjala hyrëse nuk ishte fjalë hyrëse, ishte deklarim politik... Kemi dorëzuar dëshminë për pranimin e shkresave të lëndës; mbrojtja e ka”, tha Morina.
Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj u dha vërejtje të dyja palëve, duke kërkuar përfaqësim të interesave të tyre në mënyrë profesionale.
“Sa u përket detyrimeve ligjore, prokuroria e ka përmbushur detyrimin e vet ligjor. Gjykata e ka përmbushur detyrimin e vet në shqyrtimin fillestar kur i ka pyetur palët se a i ka pranuar provat... Ua tërheq vërejtjen të gjitha palëve duke përfshirë edhe prokurorin dhe mbrojtjen sa i përket profesionalizmit të tjetrës palë, prokurori special e ka pozitën e prokurorit special për të cilën e zgjedh dikush dhe ia ka besuar këtë pozitë e po ashtu edhe mbrojtja e ka pozicionin e mbrojtjes dhe gjithsesi edhe asaj ja ka njohur këtë cilësi dhe këtë punë ja ka besuar dikush. Kështu kërkojmë prej palëve që në mënyrën më profesionale t’i përfaqësojnë interesat e tyre”, tha Kurtaj.
Gjokoviqit vitin e kaluar iu ngrit aktakuzë edhe për pjesëmarrje në keqtrajtim, mbajtje të personave në kushte çnjerëzore si dhe djegie të 62 shtëpive të familjeve Gashi, Shala dhe Krasniqi në Ozdrim e fshatrat e tjerë përreth. Seancat e radhës në këtë rast janë caktuar për 26 e 27 shkurt, si dhe 1 mars.