Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar për një aksion të gjerë kundër kontrabandimit me mallra, të zhvilluar në veri të vendit në lidhje me veprimtarinë e dyshuar të futjes së mallrave nga territori i Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përmes rrugëve ilegale në zonat e thella malore të veriut të vendit, duke iu shmangur kontrollit doganor.
Gjatë këtij aksioni dhe të tjerave të zhvilluara më herët në vazhdën e këtyre hetimeve thuhet se janë konfiskuar mallëra në vlerë të 200 mijë eurove dhe 22 automjete.
Drejtori i Policisë në veri, Veton Elshani ka konfirmuar për KOHËN se nga ky aksion janë arrestuar 10 persona.
“Në vazhdën e këtyre hetimeve, sot, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit dhe në koordinim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, është zhvilluar edhe një aksion i koordinuar, me ç’rast janë zbatuar kontrolle në disa lokacione, me qëllim të sigurimit të provave të mëtejme dhe të gjetjes së mallrave të dyshuara si të kontrabanduara. Gjatë këtyre aksioneve, përfshirë edhe aksionin e sotëm, janë sekuestruar: mbi njëzet e dy (22) automjete, ndër to kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura, si dhe mallra me vlerë doganore mbi dyqind mijë (200.000) euro, pa llogaritur taksat dhe detyrimet e tjera, kryesisht produkte ushqimore, pije alkoolike, joalkoolike dhe energjike, cigare dhe barna pa banderola, produkte higjienike, si dhe tekstil, përfshirë edhe veshje me marka të mbrojtura tregtare pa autorizim apo licencë përkatëse”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë.
Elashi po ashtu ka bërë të ditur se nga 22 bastisjet e zhvilluara, nëntë janë zhvilluar në Mitrovicën e Veriut, pesë në Zubin-Potok, pesë në Zveçan dhe tri në Leposaviq.
Tutje sipas njoftimit hetimet kanë filluar në muajin prill të vitit 2026, ndërsa gjatë tyre, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit dhe në koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, janë identifikuar rrugët ilegale përmes të cilave mallrat futeshin në Kosovë, mënyra se si këto mallra shkarkoheshin në objekte të marra me qira për këtë qëllim, si dhe pikat nga të cilat ato shpërndaheshin më tej në treg.
“Gjatë periudhës maj – shtator 2026 janë ndërmarrë mbi njëzet aksione në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, me ç’rast është vërtetuar se automjetet që përdoreshin për këtë veprimtari në shumicën e rasteve ishin të modifikuara për kontrabandë, ngase u ishin hequr ulëset e pasme, ndërsa vozitësit, me të vërejtur praninë e zyrtarëve policorë, i braktisnin automjetet dhe largoheshin nga vendi”, thuhet në njoftim.
Qëllimi i këtyre hetimeve thuhet se ka qenë që mallrat të cilat nuk u janë nënshtruar rregullave të importit dhe procedurave të zhdoganimit, përfshirë edhe mallrat ushqimore, barnat dhe pijet, të mos lejohen të shpërndahen te qytetarët e Republikës së Kosovës pa iu nënshtruar më parë kontrollit të institucioneve kompetente, ngase për këto mallra nuk dihet origjina, mënyra e ruajtjes dhe e transportit, as afati i përdorimit, andaj ato theksohet se paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve, ndërsa njëkohësisht dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe bizneset që veprojnë në pajtim me ligjin.
Lidhur me këtë rast hetimet zhvillohen për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 dhe “Tregtia e ndaluar”.
Në njërin nga rastet thuhet se janë gjetur 504 shpezë të gjalla pa origjinë dhe pa certifikatë shëndetësore, të cilat, me vendim të inspektorit veterinar, janë asgjësuar për shkak të rrezikut për shëndetin e njerëzve.
Hetimet janë në fazën përfundimtare, ndërsa Prokurori i Shtetit, pas vlerësimit të të gjitha provave të siguruara, brenda afateve ligjore thuhet se do të marrë vendimet përkatëse në pajtim me Kodin e Procedurës Penale.
Stavileci për aksionin në veri: Rezultat i një hetimi disamujor
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës ka thënë se aksioni në veri për mallrat e kontrabanduara ku u arrestuan 10 të dyshuar, ka ardhur si rezultat i një hetimi që ka nisur më herët.
Ai në emisionin “tre8tre” ka dhënë se hetimi ka zgjatur disa muaj ndërsa aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
“Ka pas llojllojshmëri të mallrave. Struktura e mallrave të kontrabanduara ka ndryshuar shumë ndër vite. Më herët janë kontrabanduar mallra me vlerë më të lartë me akcizë si nafta e duhani, kurse tash janë kryesisht mallra ushqimore”, ka thënë ai.
Stavileci ka thënë se krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, këtë vit Dogana ka rritur të hyrat për 5.7 për qind.
Ai ka shtuar se mbledhja e të hyrave është ndër qëllimet kryesore të Doganës.
Stavileci ka thënë se rastet e ndryshme të kontrabandës janë në rënie e sipër për shkak të kontrolleve më të rrepta.
“Dogana fokusohet në mallrat që zënë hapësirë dhe kanë vlerë, bëhet fjalë për barna, ari, e teknologji”, ka thënë ai.