Policia ka dhënë detaje të reja mbi vdekjen e një personi të dielën në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Në raportin 24-orësh të PK-së thuhet se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, si dhe substancë e dyshuar narkotike.
Rasti është regjistruar si “Hetim mbi vdekjen, armëmbajtje pa leje dhe posedim i narkotikëve”.
“Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe substancë e dyshuar narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.