Kronikë

16 të arrestuar në aksionin policor, dyshohen për disa vepra penale

Arestime Aksioni policor në veri dhe jug

Momenti i arrestimit të një personi gjatë aksionit policor në Mitrovicë (Foto: KOHA)

Policia e Kosovës i ka arrestuar 16 persona në aksionin që u zhvillua të mërkurën në Mitrovicë të jugut dhe të veriut, në Vushtrri, Skenderaj dhe në Leposaviq.

Ata po dyshohen për vepra penale “detyrim” dhe “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Si dëshmi materiale gjatë kontrollit, Policia njoftoi se janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.

13 prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje. 

Në mesin e të arrestuarve është edhe një zyrtar policor, i cili është pezulluar, ka njoftuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani. 

Aksioni policor u zhvillua në 21 lokacione. Në mesin e tyre dy lokacione në Mitrovicë të Veriut, një në Zveçan e një në Leposaviq. 

Elshani tha se kanë asistuar në katër lokacione. Ai njoftoi se polici i arrestuar dhe i suspenduar dyshohet për krim të organizuar.

“Ne kemi asistuar në katër lokacione, në katër bastisje, dy në Mitrovicë në veri, një në Zveçan dhe një në Leposaviq. Nga këto katër lokacione e kemi një person të arrestuar. Ai është zyrtar policor të cilin unë e kam suspenduar sipas të drejtave dhe përgjegjësive që unë i kam. Nuk ka pas ndonjë problem për t’u theksuar”, ka thënë Elshani.

Sipas tij, polici po hetohet.

“Për mua është me rëndësi që ai është i dyshimtë në rastin e krimit të organizuar, në të cilin është duke u hetuar dhe për këtë arsye është suspenduar sepse është arrestuar. Ne asistojmë çdoherë kur kërkohet nga ana jonë. Sa herë që kërkohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në këtë rast. Dhe nuk kemi pas ndonjë problem me theksu. Kjo është me rëndësi për neve”, ka shtuar Elshani, duke theksuar se kontrollet janë kryer në shtëpi dhe banesa private.

Operacioni policor:


Aksion policor në jug dhe veri të Mitrovicës

(09:57) - Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksioni i së mërkurës po kryhet në jug dhe veri të Mitrovicës, i cili ka të bëjë me luftimin e veprimtarive kriminale, të kontrabandimit me armë dhe municion.

“Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka njoftuar Policia.

Një person është arrestuar.

Pamje nga aksioni (Foto: KOHA)

VIDEO:


Policia nis aksion kundër krimit të organizuar në disa komuna

(09:28) - Policia e Kosovës të mërkurën ka nisur aksion kundër krimit të organizuar në disa komuna.

Siç raporton “Kossev”, aksioni po kryhet në disa komuna të Kosovës, përfshirë ato veriore.

Për momentin nuk dihet arsyeja për çfarë po kryhen kërkimet apo lokacionet.

KOHA është në pritje të përgjigjes nga Policia. Posa të ketë, artikulli do të përditësohet.