Kronikë

Policia ka identifikuar disa persona që dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme ditëve të fundit

Zjarret

Policia e Kosovës ka reaguar me masa të shtuara ditëve të fundit ndaj një sërë incidentesh me zjarr në zona të ndryshme të vendit, përfshirë pyjet, zonat rurale, periferitë e banimit dhe brenda qyteteve, duke shtuar se ka identifikuar disa persona që dyshohen se kanë ndezur qëllimisht zjarre.

Në një njoftim zyrtar të martën, Policia e Kosovës bën të ditur se ka ndërhyrë me shpejtësi në zonat e prekura, duke ndihmuar në evakuime, kontrollin e trafikut dhe sigurimin e perimetrit të rrezikut. Gjithashtu, janë kryer vizita në terren për të ofruar informacion dhe mbështetje për qytetarët.

Për menaxhimin e situatës, policia është koordinuar ngushtë me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, shërbimet zjarrfikëse, ekipet e urgjencës mjekësore dhe autoritetet komunale. Përpjekjet e përbashkëta kanë synuar frenimin e përhapjes së zjarreve dhe minimizimin e dëmeve.

Sipas policisë, disa zjarre janë shkaktuar nga kushtet klimatike ose për arsye aksidentale, ndërsa në disa raste po hetohet mundësia e zjarrvënies së qëllimshme.

“Disa persona janë identifikuar dhe rastet ndaj tyre po trajtohen me kujdes nga autoritetet”, thuhet në njoftim.

Policia i ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe të raportojnë menjëherë çdo aktivitet të dyshimtë që mund të çojë në zjarr. Gjithashtu, është apeluar për shmangien e çdo veprimi që mund të rrezikojë mjedisin dhe sigurinë publike.