Një person është vënë në pranga, si i dyshuar për sulmin fizik të ndërmarrë ndaj mjekut të Klinikës Infektive, Nderim Hasani. Policia e kualifikoi rastin si lëndim i lehtë trupor dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave
Policia ka njoftuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se e ka sulmuar fizikisht mjekun e Kliniken Infektive në QKUK, Nderim Hasani.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të mërkurën dhe është cilësuar si lëndim i lehtë trupor.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar viktimën mjek në Klinikën Infektive. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I kontaktuar nga KOHA, mjeku i sulmuar nuk ka treguar për arsyet e incidentit që ndodhi brenda Klinikës Infektive.
“Rasti është procesuar në rrugë ligjore. Për informata të mëtejme ju lutemi referojuni njoftimeve nga ana e organeve të shtetit”, ka thënë ai.
KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe drejtorin e Infektives, Arben Vishaj, si dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, por nuk ka marrë përgjigje.