Kronikë

Policia arreston 13 persona për rastin e therjes me thikë në ambiente shkollore në lagjen “Ulpiana”

Policia e Kosovës ka njoftuar se në lidhje me rastin e therjes me thikë na hapësira shkollore në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ka zhvilluar hetime dhe janë arrestuar 13 persona të dyshuar.

Më datën 28 maj ishte raportuar se disa persona të dyshuar kanë sulmuar viktimën A.H. duke i shkaktuar lëndime trupore dhe janë larguar nga ai lokacion. Në të njëjtën datë rreth orës 14:20 A.H. ka shkuar në lagjen Ulpiana në Prishtinë dhe ka therë me thikë të dyshuarin B.G. duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Lidhur me këtë ngjarje nga njësitet kompetente të stacionit policor Jugu në Prishtinë janë ndërmarr veprime ligjore me që rast iniciuar tri raste penale: “Sulm-lëndim trupor, Lëndim i rëndë trupor dhe Kanosje, specifikuar sipas kodit penal të RKS-së”, thuhet nga Policia.

Policia e Prishtinës ka njoftuar se janë arrestuar 13 persona si të dyshuar, prej tyre pesë me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa 4 prej tyre i është caktuar masa e paraburgimit.

Janë intervistuar disa persona si dëshmitarë, ndërsa janë ngritur tri kallëzime penale.

“Më datë 01.06.2021 nga zyrtarët policorë që veprojnë në rroba civile është konfiskuar një fishek i kalibrit 9x19 mm, ku gjatë procedimit të rastit dhe pas një hetimi preliminar është identifikuar një video ku shihet një person duke lozur me armë zjarri me gaz. Në lidhje me këtë Policia menjëherë ka ndërmarrë veprime hetimore ku është identifikuar e dyshuara femër dhe ku gjatë realizimit të urdhër kontrollit është konfiskuar arma me dy karikator dhe (4) katër fishek. E dyshuara është intervistuar dhe me udhëzimin e prokurorit kompetent rasti iniciohet për procedurë të rregullt dhe i referohet hetimeve. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr në koordinim të plotë me prokurorin kompetent”, thuhet nga Policia.

Policia ka thënë se në kuadër të Planit Operativ “Siguria në ambientet shkollore” në vazhdimësi janë intensifikuar veprimet e zyrtarëve policor në rroba civile me qëllim të ofrimit të sigurisë në dhe përreth objekteve shkollore, parandalimi i incidenteve të mundshme, identifikimi i personave që nuk janë nxënës nëpër shkolla përkatëse, si dhe vëzhgimi dhe komunikimi me persona të përfshirë në incidente të ndryshme.

“Aktivitete të tilla parandaluese të Policisë në bashkëpunim edhe me autoritetet shkollore po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë”, thuhet nga Policia.