Një person është plagosur të premten në Deçan, ka njoftuar Policia Rajonale e Pejës. Sipas policisë i dyshuari është arrestuar.
“Sot me datën 12.11.2021 rreth orës 15:15, Policia është informuar se në rr. ‘Luan Haradinaj’ në Deçan ka pasur të shtëna me armë zjarri me ç’rast është plagosur një person. Personi i plagosur është dërguar në QKMF-Deçan, i njëjti është transportuar në Spitalin Rajonal Pejë. I dyshuari është arrestuar dhe ndodhet në objektet e Stacionit Policor në Deçan”, njoftoi zëdhënësi i policisë në Pejë Driton Rugova.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se prokurori është në vendin e ngjarjes dhe ende nuk ka informata për motivet e mundshme të kësaj plagosjeje. Ndërsa sipas tij, personi i plagosur nuk është në rrezik të jetës.
“Të dyshuarit i është konfiskuar arma më të cilën dyshohet që është kryer vepra penale. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në ndalim 48 orësh dhe njëkohësisht janë duke u ndërmarrë gjitha veprimet e nevojshme në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e kësaj vepre penale”, tha Nikçi.