Dy zyrtarë policorë janë plagosur të mërkurën në Suharekë, pasi katër të dyshuar shtinë me armë në drejtim të tyre pasi kryhen grabitje në një argjendari.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i tha KOHËS se grabitja me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 15:45, e kur Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë qëlluar policinë.
Ata janë jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
“Rreth orës 16:30 kemi marrë informatën se vetura e dyshimtë është një veturë e pasagjerëve. Sapo policia ka mbërritur në vendngjarje, të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, një zyrtar policor është plagosur. Ai ka marrë trajtim mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e Bytyqit.
Të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, në Ferizaj, Shukri Jashari, i ka thënë KOHËS se janë duke bashkëpunuar me Policinë dhe Prokurorinë e Suharekës për identifikimin e katër të dyshuarve që kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë.
Prokuroria në Suharekë dhe Policia kanë kërkuar bashkëpunim edhe nga Komuna e Ferizajt, meqë të dyshuarit kanë ikur në drejtim të kësaj komune.
Nga Prokuroria i kanë thënë KOHËS se mund të jetë vjedhur ari në vlerë prej 250.000 eurove.
“Sipas pronarit diku rreth 250.000 euro. Nga ana e Prokurorisë nuk është bërë akoma vlerësimi pas që jemi në fazën e mbledhjes së provave”, ka thënë prokurorja Ervehe Gashi.
Qazim Reka, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajit, ka thënë për KOHËN se Njësia për Reagim të Shpejt, ka ngritur pika të kontrollit në hyrje dalje të Ferizajt, për të arritur tek identifikimi i personave që gjuajtën me armë zyrtarët policorë në Suharekë.
Sipas Rekes, të gjitha drejtoritë e komunave janë ngritur dhe janë në koordinim të plotë për të arritur tek arrestimi i personave që kryen grabitjen në Suharekë.