Policia e Kosovës ka rrethuar të martën ndërtesën e Rektoratit të Prishtinës, për shkak të alarmit për mjet shpërthyes.
Një alarm i tillë u bë edhe të martën e javës së kaluar, porse rezultoi të ishte i rremë.
Policia ka konfirmuar se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Po ashtu, prorektori Elton Bahtiri, ka thënë për KOHË-n se Policia ka kërkuar të lirohet objekti për shkak të kërcënimeve të marra për mjet shpërthyes.
Ditëve të fundit, në vendet e rajonit, sidomos në Serbi, alarmet e rreme për bomba kanë qenë të shumta.