Komisioni Disiplinor i Policisë së Kosovës ka përjashtuar nga puna zyrtarin policor për një rast të 2018-s, kur kishte sulmuar fizikisht një person brenda stacionit policor.
Largimin nga puna e ka konfirmuar avokati i të dyshuarit, Naim Rudari, i cili shkurtimisht tha se e posedon vendimin.
"Po është marrë vendim nga Komisioni i Brendshëm Disiplinor. Kjo është si shkallë e parë dhe s'është e formës së prerë”, i ka thënë Rudari KOHËS, duke potencuar se do bëjnë ankesë.
Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK), më 28 janar të këtij viti kishte arrestuar të dyshuarin për veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Pos tij, IPK-ja kishte rekomanduar suspendimin e dy punonjësve policore që në kohën e incidentit dyshohet se ishin pjesëmarrës në keqtrajtim.