Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Paraburgosen nëntë të dyshuarit për dallavere me “Call Center”

call center

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit nëntë të dyshuarve për veprat penale “mashtrimi” dhe “mashtrimi kompjuterik”.

Sipas një njoftimi, masa u caktua ndaj të pandehurve T.S., D.M., D.H., R.H., P.R. A.P., F.Z., D.H., dhe B.E., sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Gjykata ka vlerësuar se kjo masë është adekuate pasi ekziston rreziku që të pandehurit të ikin, sidomos pasi disa prej tyre janë shtetas të Gjermanisë e te shumica është hasur se bëjnë shpesh udhëtime jashtë shtetit.

Këta nëntë persona dyshohen se sivjet në lokacione të ndryshme, përmes qendrave të thirrjeve “Call Center”, “duke vepruar në mënyrë të organizuar, të koordinuar dhe me role të ndara, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përmes paraqitjes së rreme të fakteve, kanë vënë në lajthim të dëmtuarit – shtetas të huaj, duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, si dhe duke i vënë në lajthim përmes paraqitjes së rreme, si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare”.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.