Kronikë

Pantiqi edhe dy muaj në arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën arrestit shtëpiak ish-policit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, që po dyshohet për terrorizëm.

Zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, i tha KOHËS se Pantiq, i dyshuar për “terrorizëm në bashkëkryerje”, do të mbahet në arrest shtëpiak edhe për dy muaj, deri më 9 maj.

“Me datë 08.03.2023 Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së Arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P, ashtu që masa e Arrestit shtëpiak i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, deri me datë 09.05.2023”, thuhet në njoftimin e saj.

Ish-polici serb Dejan Pantiq, u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimet se ka sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Komisionit Zgjedhor.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë.

Këto barrikada që qëndruan për tri javë, u larguan vetëm pas ndryshimit të masës gjyqësore ndaj Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.