Gjykata Themelore në Ferizaj ia caktoi masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe për plagosjen e vëllait të mitur të saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Ai është akuzuar për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. E pas rastit të së premtes, është shtruar kërkesa që gjykatat t’i ashpërsojnë politikat ndëshkimore, në mënyrë që rastet e tilla të vrasjeve të mos përsëriten
Një muaj paraburgim i janë caktuar të akuzuarit Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes 21-vjeçare e për plagosjen e vëllait të saj të mitur, një ditë më parë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
Ai është paraqitur të shtunën në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe është ngarkuar me dy vepra penale – “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit nga Gjykata, dorasi e ka goditur viktimën disa herë në kokë me armë zjarri brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale.
“Ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 12 prill 2024, rreth orës 14:40, i pandehuri brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rr. ‘Vëllezërit Gërvalla’, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur disa herë me armë, plumba, në kokë, ndërsa ka shtënë edhe në drejtim të të miturit D.C. (vëllai i së ndjerës) duke e plagosur në krahë.”, thuhet në njoftim. “I pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serik ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me datë 12 prill i është konfiskuar nga Policia”.
Para trupit gjykues të Themelores në Ferizaj, i akuzuari është deklaruar lidhur me shtënien me pistoletë, që për pasojë e pati vdekjen e 21-vjeçares me të cilën kishte një fëmijë.
“Fillimisht nëse nuk gaboj e kam rrok vëllanë e saj, e më pas ish-bashkëshorten... Nja dy herë kam shtënë në drejtim të saj, tani ia kam drejtu vetes armën në kokë, por s’kishte pasë plumba e pastaj kam ik te shtëpia”, ka thënë i dyshuari në gjykatore.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen ka të kaluar kriminale.
Pas vrasjes së të premtes, në Institutin e Kosovës për Drejtësi kanë shprehur vërejtjen se institucionet përkatëse nuk janë duke i trajtuar rastet e këtilla me profesionalizmin dhe seriozitetin e duhur.
Lavdim Makshana, hulumtues në këtë institut, ka kërkuar ashpërsimin e politikave ndëshkimore në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
“Politika në këto raste është një politikë e ulët ndëshkimore. Kjo për faktin se shqiptohen dënime shumë të ulëta në krahasim me atë çfarë parasheh legjislacioni ynë. Pra legjislacioni ynë parasheh dënime mjaft të ashpra në këto raste. Megjithatë, gjyqtarët e Republikës së Kosovës shqiptojnë në një masë të madhe dënime të ulëta për këto raste”, ka thënë Makshana. Por, në rast se tentojmë që t’i forcojmë mekanizmat apo në rast se këto raste nuk duhet të na përsëriten, atëherë duhet të forcohet politika e ulët ndëshkimore”.
Makshana e theksoi edhe nevojën për ngritjen e nivelit të sigurisë në Qendrat për Punë Sociale, që janë institucione kompetente për mbrojtjen e qytetarëve.
Në shenjë revolte dhe reagimi për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj, Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, për të hënën në orën 17:30 ka planifikuar të organizojë protestë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
“Edhe një grua tjetër u vra në sytë e shtetit. Edhe një jetë e humbur që kumbon luftën që na është shpallur grave në Kosovë e që disa nga ne po i vret”, thuhet në reagimin e organizatës.
Edhe Organizata Civile për Mbrojtjen e Grave në Kosovë, kanë njoftuar se të hënën do të organizohet protestë në Prishtinë si përgjigje për vrasjen e gruas në Ferizaj. Kjo organizatë do të kërkojë që siguria e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Një ditë më parë, edhe përfaqësues shtetërorë akuzuan autoritetet e drejtësisë për mungesë veprimesh në raport me sulmet ndaj grave.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se drejtësia duhet të veprojë pa vonesa “duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”.
E, ministrja e Drejtësisë, Albuelna Haxhiu, ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve, ndërsa ka bërë thirrje për dënim maksimal për të dyshuarin.
“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromis në adresimin e këtyre rasteve. Jemi në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptojmë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrim veprimet sipas kompetencës”, ka shkruar ajo.
Bazuar në të dhënat e Policisë, gjatë vitit 2023 kanë ndodhur katër vrasje, viktima të të cilave kanë qenë gratë.