Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar një muaj paraburgim një të mituri për vrasjen e policit Muhamed Lika në Kaçanik më 1 prill.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar kërkesën e prokurorit të shtetit për të caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
I mituri dyshohet se në bashkëkryerje me madhorët H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje e me përgatitje paraprake ka privuar nga jeta rreshterin policor Lika.
I mituri dyshohet se ka shkuar nga prapa dhe e ka qëlluar me armë zjarri rreshterin policor, ndërsa ai kishte hyrë në objektin banesor. Në vendin e ngjarjes ishin gjetur disa gëzhoja. I mituri kishte ikur më pas në drejtim të një lokali.