Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit A.N. që dyshohet se tentoi ta vriste me thikë një person të dielën në banesë në Fushë-Kosovë.
Sipas aktakuzës, A.N. e kishte ftuar në banesën e tij viktimën dhe i kishte kërkuar të konsumonte substanca narkotike dhe të kryenin marrëdhënie seksuale. Pasi viktima e refuzoi, A.N. e goditi atë me thikë në kokë duke i shkaktuar plagë shpuese.
“Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke marr për bazë peshën e veprës penale si dhe mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale”, thuhet në vendimin e Themelores.
Viktima ishte dërguar për trajtim në QKUK pasi kishte marrë plagë në kokë, ndërsa policia kishte raportuar se A.N. kishte qenë nën ndikim të substancave narkotike.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të substancave narkotike, fillimisht e kishte joshur viktimën mashkull kosovar, që të konsumojë substancë narkotike, e pasi viktima kishte refuzuar të konsumojë, i dyshuari e kishte joshur (cytur) që të kryejnë marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së tij, dhe pasi edhe kësaj here viktima kishte refuzuar, i dyshuari me një thikë kuzhine, e kishte goditur viktimën në kokë , me ç’rast i shkakton lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, u tha nga policia.