Kronikë

Një i vrarë dhe një i plagosur nga gjuajtja me armë mbrëmë në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka vdekur ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë në orët e para të së shtunës, në Mitrovicë.

Sipas njoftimit të Policisë, i vdekuri është i moshës 49-vjeçare ndërkaq, i plagosuri është i moshës 52-vjeçare.

“Me datën 10 korrik 2021, në ora 00:20, policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën Evlia Qelebia. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë. Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor”, ka thënë për KOHËN, Avni Zaiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës.

Hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin.

Nga hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë.