Kronikë

Një i vdekur e katër të lënduar në aksidentin në autostradën “Arbën Xhaferi”

Foto: Ilustrim

Foto: Ilustrim

Një person ka vdekur dhe katër të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur të mërkurën në autostradën “Arbën Xhaferi”. 

Viktima sipas Policisë është një burrë rreth 44-vjeçar.

Sipas Policisë të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim. 
“Rreth orës 14:00 në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ Lipjan -Ferizaj km-15 është shkaktuar aksident trafiku ku janë përshirë dy automjeteve transportuese (kombi) njëri në lëvizje, ndërsa tjetri i ndalur në shiritin emergjent. Si pasojë e aksidentit dyshohet se një person i gjinisë mashkull rreth 44-vjeqar ka vdekur ne vendin e ngjarjes, ku vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa katër persona kanë pësuar lëndime trupore të cilët janë transportuar ne QKUK-Prishtinë për tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Ekipet relevante policore thuhet se kanë dal në vendin e aksidentit, përfshirë edhe ato të hetimeve të cilat po punojnë në identifikimin e shkaqeve të aksidentit dhe rrethanave që e karakterizojnë. Lidhur me rastin thuhet se është njoftuar edhe prokurori.

Policia ka bërë thirrje për drejtuesit e automjeteve që të jenë më vigjilentë dhe t’i respektojnë rregullat e trafikut.

“Humbja e jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë së drejtuesve të automjeteve po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, andaj kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë më vigjilentë dhe të respektojnë rregullat në trafikun rrugor. Respektimi i shenjave në trafik dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet në rrugë është domosdoshmëri për një siguri më të madhe rrugore”, thuhet në njoftim.