Një person është ndaluar në Gjilan me dyshimin që është përfshirë në vepër penale të fajdes. Këtë e ka bërë të ditur të enjten Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
I dyshuari L.K. është ndaluar për 48 orë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuara ka dhënë para me fajde, në vlerë prej 75 mijë euro, me qëllim që pastaj t’i kërkonte me kamatë prej 30 për qind nga i dëmtuar E.I. Vlera e përgjithshme sipas marrëveshjes që i dëmtuari kishte për t’ia kthyer të dyshuar, ishte 97 mijë e 500 euro”, thuhet në njoftim.
Është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë gjetur shënime në formë të marrëveshjes lidhur me kthimin e borxhit dhe dëshmi që ndërlidhen me çështjen.