Kronikë

Një grua në Gjilan u dhunua dhe u grabit, djali i saj u rrah

Tek po ecnin në rrugë, dy persona të maskuar ua zunë udhën dy viktimave, nënë e bir. Gruan e dhunuan dhe e grabitën, kurse djalin e saj 17-vjeçar e rrahën. Të dyshuarit ende nuk janë identifikuar, e viktimat kanë pranuar trajtim në Spitalin Rajonal në Gjilan

Një grua dhe djali i saj 17-vjeçar janë sulmuar nga dy persona të maskuar të shtunën në një rrugë të Gjilanit.

Më pas 38-vjeçarja dyshohet se u dhunua, iu vodhën stoli ari dhe një shumë parash. E, djali i saj u rrah.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, tha se i kanë pranuar të dy viktimat. Për gruan që dyshohet se u dhunua, tha se është proceduar për në Mjekësinë Ligjore.

“Është pranuar e shqetësuar, do të thotë me shqetësime psikike, por e vetëdijshme e orientuar, me gërvishtje në trup, në dy krahët dhe në kofshë dhe me gjakrrjedhje të pakët vagjinale”, ka thënë Emini.

Emini tha se viktima tjetër, djali 17-vjeçar, pas mjekimit është lëshuar në shtëpi, për trajtim të mëtejmë.

“Është pranuar me shqetësime psikike, me frikë, me vështirësi në komunikim dhe me hematoma, do të thotë, mavijosje në ballë dhe në qafë”, ka shtuar ai. 

Në Prokurorinë Themelore në Gjilan njoftuan se të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime në mënyrë që të identifikohen kryerësit e këtyre veprave penale. Nga prokurori kujdestar rasti është kualifikuar si ‘dhunim’, ‘grabitje’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’”, ka deklaruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjatë së shtunës, sipas raportit të Policisë, në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar për ngacmimin e një vajze të mitur. 

E në Podujevë një prind ka raportuar se vajza e tij e mitur është keqtrajtuar seksualisht nga një burrë, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.