Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici gjatë 24 orëve të fundit. Në pesë raste, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Një grua në Gjakovë është dërguar në mbajtje, pasi në gjendje të dehur ka ofenduar bashkëshortin e saj. E një burrë në Podujevë është liruar në procedurë të rregullt pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe e ka kanosur të dashurën e tij.
Një grua në Gjakovë është dërguar në mbajtje, pasi e njëjta sipas raportit 24-orësh të Policisë, në gjendje të dehur ka ofenduar bashkëshortin e saj.
Në po të njëjtën ditë, një burrë në Podujevë ka sulmuar fizikisht dhe e ka kanosur të dashurën e tij me postimin e fotografive të saj në rrjete sociale.
Pas intervistimit, prokurori i rastit e ka liruar të dyshuarin në procedurë të rregullt.
Brenda 24 orëve të fundit janë shënuar edhe tetë raste të tjera të kategorizuara nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.
Sipas Policisë, tri raste janë raportuar në Prishtinë, dy në Pejë, e nga një në Lipjan, Ferizaj, e Mitrovicë të Veriut.
Në shtatë rastet viktima të dhunës verbale dhe fizike janë gratë, ndërsa në tri raste burrat. Në pesë raste të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Mitrovicë Veri - 22.02.2025, 22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti, nën ndikim të alkoolit, kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare – bashkëshorten e tij. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin policor.
Sociologia Flakë Ymeri thotë se aspekti ekonomik është ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familje.
“Një ndër faktorët që mund të përballet është edhe aspekti socio-ekonomik, mirëpo shpeshherë problemet mund të jenë të natyrave të ndryshme që shtyjnë këto çifte të përfundojnë në dhunë në familje. Mirëpo shpesh dhuna në familje përkufizohet vetëm mes çifteve, por nuk ndodh vetëm në raport mes burrit dhe gruas, mirëpo dhuna në familje është në aspektin më të gjerë, mund të jenë të përfshirë edhe anëtarët e tjerë të familjes, e kjo dukuri po shkon në rritje çdo ditë e më shumë”, ka deklaruar ajo.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë raportuar mbi 2300 raste të dhunës në familje, shifër kjo që ka shënuar rritje për 6% krahasuar me vitin 2023.