Gjyqi për 40 persona për një çështje të trafikimit ndërkombëtar të drogës, ku përshihet edhe një grup kriminal shqiptar, ka nisur të hënën në Gjykatën Penale të Brukselit.
Hetimi filloi në shtator të 2020-s pas zbulimit të disa kilogramëve kanabis dhe një sasi të madhe acetoni në një kuti garazhi në rajonin e Brukselit.
Çështja mori një tjetër rrjedhë hetimi pasi dolën të dhëna të reja nga infiltrimi dhe deshifrimi i mesazheve në aplikacionin “SKY ECC”.
Aplikacioni i mesazheve u përdor nga kriminelët për të komunikuar fshehurazi. Falë deshifrimit të komunikimeve, policia arriti të identifikonte kontaktet në disa vende të Amerikës së Jugut dhe të detajonte strukturën e organizatës.
Rrjeti kriminal, drejtues të të cilit janë të pandehurit e kombësisë shqiptare A.H, I.K dhe A.I, dyshohet se ka importuar disa tonë kokainë, veçanërisht nëpërmjet portit të Antëerpenit. Mediat belge shkruajnë se droga është fshehur në mallra të ligjshme si lëngje frutash. Hetimet çuan në sekuestrimin e një fuçie me lëng, në të cilën ishin holluar 600 kilogramë kokainë.
Trafikantët përdorën teknikën e hollimit të drogës në produkte në dukje të padëmshme për të anashkaluar më lehtë kontrollet policore dhe doganore. Për t’i dhënë lëndës narkotike formën e tyre të shitjes në tregun ilegal, ata përdorën kimikate, si aceton. Hetimet bënë të mundur identifikimin e të dyshuarve kolumbianë, të sjellë në Belgjikë për të kryer punën e nxjerrjes.
Hetimi i kryer nga divizioni i kërkimit i policisë gjyqësore federale në Bruksel, nën drejtimin e një gjyqtari hetues dhe të prokurorisë federale, u shtri në disa vende evropiane. Më 15 shkurt 2022, në Belgjikë u kryen afro 50 kontrolle. Gjashtëdhjetë të tjera u zhvilluan njëkohësisht në Spanjë, Itali, Gjermani, Kroaci dhe Holandë.
Të dyshuarit, disa prej të cilëve janë ende në kërkim, do të gjykohen në Bruksel për shkelje të legjislacionit të drogës, zhvatje, vjedhje, falsifikim, pastrim parash dhe shkelje të legjislacionit për armët. /TCh