Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarve për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan

Aktakuzë dhe burgim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë të enjten ndaj të pandehurve V.S. dhe F.M., për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe dhënie të ndihmës për kryesit pas kryerjes së veprave penale.

Të pandehurit gjenden në masën e paraburgimit që nga 12 nëntori i vitit të kaluar. 

Sipas aktakuzës, i pandehuri V.S., më 7 nëntor 2024, rreth orës 14:00 në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, me dashje, për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy vjetësh, ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në mënyrë që derisa i ndjeri ishte duke hyrë në veturë, i afrohet dhe me armë e gjuan në pjesën e pasme të shpinës, ku pasi rrëzohet në tokë e godet me grusht dhe shqelm dhe më pas së bashku me të pandehurin F.M. janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i ndjeri për shkak të plagëve të marra ka vdekur.

“Me këto veprime, i pandehuri V.S., ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’.  Gjithashtu, i njëjti akuzohet edhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, pasi pa autorizim ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila është sekuestruar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Ndërsa, i pandehuri F.M., që nga data 7 – 12 nëntor 2024, në vende të ndryshme në Gjilan, me dashje ka ndihmuar të pandehurin V.S., në fshehjen - mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, me çka ka kryer veprën penale ‘Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Policisë, të lëshuar në ditën e vrasjes, viktima është gjetur në skaj të një rruge të qytetit.