Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.P., dhe L.H., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Trafikimi me njerëz” dhe “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.
Në njoftimin e lëshuar nga kjo prokurori thuhet se i pandehuri M.P., gjatë periudhës qershor – korrik të vitit 2021 në Prizren, ka marrë pjesë në trafikimin me njerëz dhe atë duke rekrutuar, strehuar dhe pranuar viktimën e trafikimit me anë të përdorimit të forcës dhe shtrëngimit apo të keqpërdorimit të një pozite të ndjeshme ose me anë të dhënies ose marrjes së pagesave nga e njëjta me qëllim të shfrytëzimit seksual të saj.
Më tej thuhet se viktima, e cila është e mitur, është dërguar në lokalin e tij, klubin e natës “NN” në Prizren, për të punuar si “valltare” apo “shoqëruese e klientëve”, duke i siguruar strehim në dhomat e gjumit të lokalit dhe në një banesë në Prizren.
“Me përdorim të forcës dhe shtrëngimit e detyron që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale klientëve të ndryshëm, konkretisht edhe të pandehurit L.H, e cila në pamundësi që t’i rezistojë detyrimit me forcë, pa pëlqimin e saj është pajtuar që t’i ofrojë disa herë shërbime seksuale të pandehurit në fjalë. Në këtë mënyrë, i pandehuri M.P., ka kryer veprën penale ‘Trafikimi me njerëz’, ndërsa, i pandehuri L.H., veprën penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga prokuroria.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.