Kronikë

Në veturë patën thirrjen “Kosova është Serbi”, arrestohen tre persona pranë Manastirit të Deçanit

Manastiri i Deçanit

Tre persona janë arrestuar të dielën pasi pranë Manastirit të Deçanit është hasur një veturë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar këtë për KOHËN, duke bërë të ditur se vetura ishte me targa nga Mali i Zi, e ishte futur në Manastir nën monitorimin e Policisë.

“Sot kanë qenë në Manastir të Deçanit rreth 3.000 persona që kanë marrë pjesë në një ceremoni fetare. E një veturë me shkrimin ‘Kosova është Serbia’ është futur në Manastir. Ajo është monitoruar nga Policia e Kosovës. Në momentin kur vetura ka dalë, janë arrestuar tre persona dhe janë intervistuar. Pas intervistimit, të njëjtit kanë vazhduar me thirrje nacionaliste, me ç’rast janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Nikçi.

Ata u arrestuan për veprën penale “nxitje e urrejtjes”.