Policia në Shqipëri ka njoftuar se në Aeroportin e Tiranës “Rinas” ka sekuestruar 47 mijë e 450 euro, të cilat dy shtetas turq nuk i kanë deklaruar.
Sipas njoftimit të Policisë njërit person i janë zënë 30 mijë e 450 euro të padeklaruara kurse tjetirt 17 mijë.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të shtuara, të bazuara në analizën e riskut, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, në dalje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, shtetasit turq E. G. dhe S. S. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të çantave të shpinës, shtetasit E. G. i janë gjetur 30 450 euro, ndërsa shtetasit S. S. i janë gjetur 17 000 euro, të cilat këta shtetas nuk i kishin deklaruar në kufi, siç e përcakton ligji”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndaj të dyshuarve është hapur rasti për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë".