Kronikë

Në një shtëpi të pleqve në Pejë ushtrohet dhunë ndaj të moshuarës

Në një shtëpi të pleqve në Pejë, që është privatizuar së fundi, është ushtruar dhunë fizike ndaj një të moshuare nga një anëtare e stafit.

Në një video shihet se si punonjësja sulmon të moshuarën, teksa ngjarja xhirohet nga të tjerat. Dëgjohen edhe të qeshura.

KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për shtëpinë private të pleqve “Orenda” në Pejë.

Burime të KOHËS bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur para pak ditëve.

KOHA është duke provuar të kontaktojë spitalin “Orenda”, por deri më tash nuk ka marrë përgjigje.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se Prokuroria i ka angazhuar dy prokurorë për ta hetuar rastin.

“Kryeprokurori ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe njësitë relevante policore që të shkohet në vendin ku është kryer ky krim dhe të merren të gjitha masat e nevojshme lidhur me rastin”, ka thënë Nikçi.