Kronikë

Mbi 1000 policë në operacionin kundër trafikut të drogës, të arrestuar edhe disa shqiptarë

Mediat belge shkruajnë se në operacionin e madh që nuk shihej prej kohësh janë kryer kontrolle në mbi 100 shtëpi në tri rajone të ndryshme të Belgjikës. Janë sekuestruar dhjetëra e qindra pasuri, makina luksoze dhe para, të cilat dyshohet se janë rezultat i trafikut të kokainës. Policia ka arrestuar 64 persona, ku shumica ishin shqiptarë e që dyshohet se janë të lidhur me mafinë kalabreze “Ndragheta” dhe trafikojnë drogën nga vendet e Amerikës Latine

Mbi 1100 policë janë përfshirë në një operacion në Bruksel kundër “Ndraghetas” dhe mafisë shqiptare, duke kryer kontrolle në mbi 100 shtëpi dhe duke sekuestruar dhjetëra e qindra pasuri, makina luksoze dhe para, të cilat dyshohet se janë rezultat i trafikut të kokainës. Policia ka zhvilluar kontrolle në rajonin e Brukselit dhe dy qyteteve të tjera ku kanë arrestuar 64 persona, ku shumica ishin shqiptarë, ndërkohë që kanë sekuestruar 1 milion euro para kesh, 57 automjete dhe mallra të shtrenjta dhe luksoze të markave më të njohura botërore. Banda kishte gjithashtu të gjitha llojet e pajisjeve, si dronë, gjurmues GPS, bllokues dhe motorë shtytës për zhytësit.

Mediat belge shkruajnë se bëhet fjalë për një operacion të një madhësie që nuk shihej prej kohësh. Kjo pasi Belgjika është një nga portat hyrëse të kokainës në Evropë dhe se vendi konsiderohet me një risk të lartë të përfshirjes së mafisë. Sipas të përditshmes “De Standaard”, një nga drejtuesit e bandës është algjeriani Abdewahab G., i cili në vitin 2006 kontrabandoi katër tonë kokainë në Belgjikë. Ai u shpall i pafajshëm në vitin 2008 për një gabim procedural.

Në mesin e të dyshuarve përveç shqiptarëve janë edhe disa kolumbianë. Ka gjithashtu indikacione të forta se banda qëndron pas një vrasjeje të pazbardhur të një shqiptari në Bruksel.

Rrjeti kriminal e importonte kokainën nga Amerika e Jugut me kontejner detar ose me avion privat. Droga më pas eksportohej në Itali, Gjermani, Suedi, Britani të Madhe, Francë, Holandë dhe Portugali. Policia dyshon se banda ka lidhje me “Ndranghetan”, mafia kalabreze në Itali. Rrjeti shqiptar i trafikut të kokainës ka arritur të zbulohet, pasi pjesëtarët e këtij rrjeti kriminal kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve belge përmes mesazheve që anëtarët e bandës shkëmbenin njëri-tjetrit përmes platformave më të sigurta dhe të koduara si Sky EÇ dhe Encrochat. Ky komunikim i deshifruar rezultoi në 4 aksione të mëdha policore në Belgjikë vetëm gjatë javës së kaluar. Sipas sistemit belg të drejtësisë, mesazhet e koduara të Sky EÇ kanë çuar në gjithsej 275 hetime. Janë arrestuar 455 të dyshuar. Gjithashtu janë ekspozuar kanale të ndryshme të pastrimit të parave, veçanërisht përmes parajsave fiskale. Në raportimin për operacionet e Sky EÇ, policia raporton gjithashtu se 77.000 kilogramë kokainë janë sekuestruar në Belgjikë deri më tani këtë vit.

“Po shënjestrojmë trafikun e kokainës. Nuk është domosdo një çështje sekuestrimi droge në sasi të larta, por shkatërrimin e një bande aktive në trafikun ndërkombëtar të kokainës”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Federale belge, Eric van Dyuse.

Në qendër të hetimit ka qenë trafiku i kokainës, që në Evropë, sipas mediave, menaxhohet kryesisht nga “Ndragheta” dhe rrjeti i shqiptarëve, të cilët kanë kontakte direkte me prodhuesit në Amerikën Latine dhe lehtësojnë shpërndarjen në Gjermani, Itali dhe Belgjikë.

Në operacionin në Antwerp policia ka arrestuar 10 persona ku 6 prej tyre kanë punuar më parë në port. Në Liezh, 27 persona janë arrestuar në lidhje me një sasi droge me vlerë 80 milionë euro. Po ashtu gjatë operacioneve janë sekuestruar 8 armë zjarri, mes tyre 5 kallashnikovë, 80 mijë euro, celularë të enkriptuar, mjete dhe bizhuteri me vlerë.