Kronikë

Ndalohet në Tiranë për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, rezulton i kërkuar në Kosovë

Një 33-vjeçar nga Kosova është ndaluar nga policia e qarkullimit rrugor në Tiranë, pasi ishte kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së veturës. Gjatë verifikimit, ka rezultuar se A.F. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim dhe grup kriminal për pastrim parash.

“Gjatë kontrolleve parandaluese është vënë në pranga një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë ndaluar në rrugën ‘Kastriotët’, automjetin me drejtues shtetasin A. F., 33 vjeç, i cili po përdorte celularin gjatë drejtimit të automjetit. Gjatë verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Mashtrimi, kryer në bashkëpunim’ dhe ‘Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim mashtrimin e pastrimin e parave’”, thuhet në njoftim të Drejtorisë së Policisë në Tiranë.

A.F. u arrestua përkohësisht, sipas njoftimit të Policisë.

Në bazë të Kodit Rrugor të Republikës Shqipërisë cilido drejtues mjeti që mban në dorë celularin gjatë drejtimit të mjetit ndëshkohet me 5 mije lekë gjobë. Cilido që flet në celular me 10 mijë lekë dhe cilido që shkruan mesazhe me 15 mijë lekë.

Për drejtuesit që përsërisin 3 herë brenda vitit shkeljen e mësipërme ka pezullim të leje drejtimit 3 muaj dhe heqje 10 pikë të lejes së drejtimit.