Seanca gjyqësore ndaj kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi, dhe 4 inspektorëve të Komunës së Prizrenit, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës, për ndërtimet pa leje në Prevallë, ka dështuar që të mbahet.
Arsye për këtë ishte mungesa e dëshmitarit të vetëm në këtë proces, hetuesit Arsim Thaçi, i cili është i propozuar nga Prokuroria Speciale.
Prokurorja Merita Bina - Rugova ka kërkuar që të shtyhet seanca pasi, siç ka thënë, dëgjimi i këtij dëshmitari është i domosdoshëm.
Ka kërkuar që në seancën e radhës të ftohen edhe përfaqësues të avokatisë së shtetit si palë e dëmtuar.
Por avokati i të akuzuarit Bedri Halimi, Artan Çerkini, ka thënë se propozimi i prokurores që hetuesi të bëjë provat materiale nuk është në harmoni me Kodin e Procedurës pasi, siç ka thënë, kjo bëhet me prova e materiale.
“Hetuesi kryen veprime hetimore në fazën para-penale, dhe pas aktvendimit për fillimin e hetimeve kryen veprime hetimore në procedurë penale, provat materiale duhet t`i prezantoj prokuroi në shqyrtim gjyqësor, ngase prokuroria është palë në procedurë, e jo policia”, ka thënë Çerkini.
Ai ka shtuar se në aktakuzë nuk është asnjë provë e vetme që shteti i Kosovës është palë e dëmtuar.
Me këtë janë pajtuar edhe avokatët e tjerë mbrojtës: Fatmir Jelliçi, Blend Gjili, Gent Gjini dhe Arben Shala.
Por kërkesa e prokurores është aprovuar nga trupi gjykues dhe gjykatësi Lutfi Shala. Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 12 mars.
Inspektorët e ndërtimit: Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi, Ruzhdi Daka dhe kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit akuzohen se si persona zyrtarë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për pronarët e objekteve pa leje ndërtimore në rajonin e parkut nacional “Sharri“ në Prevallë dhe shkaktimit të dëmit për Parkun Nacional dhe shtetin e Kosovës kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se inspektorët ia kishin mundësuar secilit pronar të objekteve të ndërtuara që të përfitonin dobi pasurore mbi 10 mijë euro, duke degraduar mjedisin.