Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, të arrestuar një ditë më parë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishin në pozita udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës, do të mbrohen në liri ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë. Gjykata ka njoftuar se është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të premten, ata dyshohen për vepra penale të kryera në kohën kur Mujka ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës dhe Muzliukaj, drejtor në Kadastër e Gjeodezi, gjatë qeverisjes së Agim Bahtirit.
Gjatë ditës Policia Speciale ka kryer bastisje në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë aksionit ka sekuestruar 60 mijë euro.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat e ndaluar, të pandehurit F.M. dhe H.M., në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
KOHA nuk ka arritur që të kontaktojë përfaqësuesit ligjorë të dy të arrestuarve, për ta marrë versionin e tyre mbi dyshimet.
Në Ministrinë e Bujqësisë kanë konfirmuar për KOHËN se ministri Faton Peci e ka liruar Muzliukajn nga detyra e këshilltarit deri në kohën sa drejtësia ta thotë fjalën e fundit. E në ndërmarrjen e “Ibër-Lepencit” nuk kanë treguar nëse Mujka është dorëhequr apo do të shkarkohet nga Bordi.
Në dhjetor të vitit të kaluar KOHA ka raportuar se si Mujka është zgjedhur kryeshef ekzekutiv pa e përmbushur një pikë të konkursit, e cila u kërkonte kandidatëve që në 36 muajt para aplikimit të mos ishin bartës të ndonjë posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike. E njëjta përmbajtje ndodhej edhe në deklaratën nën betim që e ka firmosur Mujka, të cilën çdo kandidat gjatë aplikimit për pozitën si kryeshef duhet ta nënshkruajë, ani se deri para një viti ai e ka drejtuar degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.