Banorë të fshatit kanë thënë për KOHËN se familjet nuk kanë pasur probleme në të kaluarën dhe se gjithçka ka ndodhur si pasojë e një zënke të çastit. Policia e Prokuroria po e hetojnë rastin, ndërkohë që janë kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve dhe janë gjetur dy armë
Herët në mëngjesin e së dielës u hapën dyert e xhamisë në fshatin Baks të Skenderajt, për të pritur për kryeshëndosh për 47-vjeçarin me inicialet B.M., i cili dyshohet se u vra nga fqinji i tij, të shtunën në mbrëmje.
47-vjeçari, i cili kishte ardhur për pushime nga Austria, mbeti i vrarë si pasojë e plumbave që dyshohet se u shkrepën nga fqinji i tij, me inicialet Sh.R.
Si pasojë e gjuajtjes me armë, plagë mori edhe vetë i dyshuari bashkë me një person tjetër, të cilët u dërguan për trajtim në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Sipas mjekes kujdestare gjatë ditë së shtunë në Klinikën Emergjente në QKUK, Dafina Basholli, gjendja e të plagosurve është stabile. Shtoi se njëri nga të dyshuarit ka marrë plagë në këmbë, e tjetri në pjesën abdominale.
Në lidhje me detajet e vrasjes, familjarët nuk pranuan të flasin para kamerës të dielën.
Një banor i fshatit, i cili nuk pranoi të identifikohej, ka thënë për KOHËN se familjet nuk kanë pasur probleme në të kaluarën.
E sipas një banori tjetër, deri tek incidenti erdhi si pasojë e një zënke të çastit. Sipas tij, i dyshuari për vrasje ishte i mllefosur pasi, sipas tij, i ndjeri kishte vozitur me shpejtësi të madhe në rrugët e fshatit dhe pastaj kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të tij.
“Fillimisht këtu afër xhamisë janë fjalosur, tani ky (i dyshuari) shkoi në shtëpi dhe mori armën dhe u nis për te shtëpia e tashmë të ndjerit. Aty e gjuajti me kallashnikov”, ka thënë banori i fshatit, pa dashur të identifikohet.
I ndjeri është varrosur të dielën në orën 17:00 në varrezat e fshatit Baks. Gjersa zhvillohej ceremonia mortore, një patrullë e Policisë është parë duke qëndruar në rrugët e fshatit.
Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i dyshuari i cili ka shtënë me kallashnikov është dërguar në mbajtje.
Valon Preteni, zëdhënës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka thënë se së shpejti pritet të caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Një person është arrestuar, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘vrasje e rëndë’. Prokurori ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa për momentin nuk dihen motivet që kanë çuar deri tek incidenti, por priten të zbulohen. Prokurori brenda afatit ligjor pritet të bëjë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit”, ka thënë Preteni për KOHËN.
Në raportin e Policisë së Kosovës, të dielën, është thënë se njëri nga të plagosurit është nën përcjellje të policisë, si i dyshuar potencial.
“Policia është njoftuar se një person tjetër kishte kërkuar tretman mjekësor në QKMF në Drenas dhe pas trajtimit fillestar mjekësor, në shoqërim të policisë është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në SHSKUK dhe është nën përcjelljen e policisë, pasi që sipas informatave fillestare mund të jetë i dyshuar potencial”, thuhet në njoftimin policor.
Në lidhje me rastin, të shtunën janë kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve dhe janë sekuestruar dy armë: një automatik AK-47 dhe një pushkë gjuetie.
“Njësia e Hetimeve Rajonale së bashku me prokurorin e shtetit janë në vendin e ngjarjes, ku është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për rastin reagoi edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, pasi ngjarja ndodhi në vendlindjen e saj.
Musliu ka thënë se është e tronditur me rastin, teksa shtoi se fshati shquhet për raporte të mira mes banorëve.
“Fshati Baks gjithmonë është shquar për raporte të mira të banorëve mes vete, prandaj ky rast na ka tronditur të gjithëve pa dallim. Bashkëndiej me familjet Musliu dhe Rexhepi dhe lutem që tragjedi të tilla të mos ndodhin më”, ka thënë Musliu përmes një statusi në profilin e saj në rrjetin social Facebook. Ajo shtoi se viktima nuk është i afërm i saj.