Dy të miturit që dyshohen se shkaktuan vdekjen e një 18-vjeçari në Podujevë, mund të dënohen deri më 10 vjet burgim. Avokati Arianit Koci ka thënë për KOHËN se për të miturit që kryejnë vepra të rënda penale, të dënueshme me burgim, maksimumi i dënimit mund të shkojë deri në 10 vjet burgim.
“Maksimumi i burgimit për të mitur është 10 vjet, për vepra të rënda penale të dënueshme me burgim të përjetshëm, ose kur i mituri ka kryer dy vepra penale në bashkim, ku secila është e dënueshme me së paku dhjetë vjet burgim. Pra, nëse janë të mitur, në asnjë rast nuk mund të dënohen mbi dhjetë vjet burgim”, ka thënë Koci të dielën.
18-vjeçari L.F., ka vdekur të shtunën (20 janar) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej pasi ishte sulmuar nga dy të dyshuar më 14 janar.
QKUK-ja ka konfirmuar se viktima ka pasur lëndime të rënda në tru.
Prokuroria Themelore në Prishtinë fillimisht e kishte cilësuar rastin si tentimvrasje, por më pas e ka ricilësuar si vrasje të rëndë.
Të miturit janë ndaluar dhe u është caktuar masa e paraburgimit.