Kronikë

Mbrojtja dhe Prokuroria me dëshmitarë të mbrojtur në gjykimin e Pantiqit dhe tre të tjerëve

Si mbrojta ashtu edhe Prokuroria kanë propozuar nga një dëshmitar të mbrojtur për rastin ku po gjykohen katër persona të nacionalitetit serb për sulmin terrorist ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, në dhjetor të vitit 2022. Dëshmitari i mbrojtjes, po ashtu i mbrojtur, është dëgjuar të mërkurën

Mbrojtja dhe Prokuroria kanë propozuar nga një dëshmitar të mbrojtur për rastin e sulmit terrorist ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, i kryer më 6 dhjetor 2022.

E ai i mbrojtjes është dëgjuar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në procesin ku të akuzuar janë Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq.

Prokurori special Bekim Kodraliu kërkoi që kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarit Aleksandar Vlajiq, që është i dyshuar edhe për spiunazh, të refuzohet, meqë, sipas tij, nuk ka dëgjuar kurrë që një dëshmitar për një rast të këtillë të jetë i rrezikuar me jetë. 

Por trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Valon Kurtaj konstatoi se bërja publike e dëshmisë përbën rrezik për jetën e dëshmitarit. 

“Më datë 11.10.2024, gjykata ka vazhduar me seancën e shqyrtimit gjyqësor ku ndër të tjera është propozuar dëgjimi i dëshmitarit F. N. të propozuar nga i akuzuari A. V., përmes mbrojtësit të tij, avokat M. D. Mbrojtësi i të akuzuarit, po ashtu ka propozuar që në seancën kur do të dëgjohet ky dëshmitar të mbyllet për publikun për faktin se dëshmia e tij, mund ta rrezikonte jetën e tij personale e sigurinë e familjes, për faktin se i njëjti është dëshmitar okular i këtij rasti dhe se ka qenë në rrugë ditën kur ka ndodhur ngjarja, andaj edhe ka kërkuar nga gjykata që të vendosë lidhur me këtë kërkesë... Seanca në të cilën do të dëgjohet ky dëshmitar do të jetë e mbyllur për publikun në harmoni me dispozitat ligjore (vetëm për publikun, por jo edhe për palët në procedurë) për faktin se këtij dëshmitari mund t’i rrezikohet siguria e tij apo e familjes së tij nëse bëhet deklarata e tij publike dhe se Gjykata ka konsideruar se interesi që mbështetet nga mbyllja e kësaj seance ku do të dëgjohet ky dëshmitar është thelbësisht më i lartë sesa interesi publik për proces të hapur”, shkruhet në aktvendimin për përjashtim të publikut. 

Edhe Prokuroria e ka propozuar një dëshmitar të mbrojtur, që pritet të dëgjohet në fund të këtij procesi gjyqësor. 

Sulmi ndaj Zyrës së KKZ-së në Mitrovicë të Veriut u realizua pasi serbët dhanë dorëheqje nga të gjitha institucionet, lokale e qendrore, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri.

Prokuroria Speciale në bazë të aktakuzës së ngritur më 13 dhjetor 2023 pretendon se të akuzuarit me hedhjen e granatave të dorës dhe të shok-bombave synuan frikësimin e popullatës dhe detyrimin e institucioneve që të tërhiqen prej organizimit të zgjedhjeve lokale. Si pasojë e situatës së krijuar dhe presionit ndërkombëtar, zgjedhjet e planifikuara për dhjetorin e vitit 2022 u shtynë dhe u mbajtën në prill të vitit 2023.