Kronikë

Mashtrim me bitcoin

Bitcoin

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë të mërkurën ka kryer një varg bastisjesh në disa rajone të Kosovës, me ç’rast ka arrestuar shtatë persona për armëmbajtje pa leje dhe për mashtrime me monedha digjitale. Gjatë bastisjeve u kapën edhe armë e municion

Një kallashnikov, një pistoletë me gaz, një pushkë e gjatë e një gjysmë e gjatë automatike u sekuestruan të mërkurën nga Prokuroria Themelore e Prishtinës gjatë bastisjeve në tri lokacione në Lipjan, që rezultuan me arrestimin e dy personave.

Të dy, Prokuroria njoftoi se i dërgoi në mbajtje.

“Personat me inicialet H.A. dhe K.K., me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas KPRK-së, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

E pesë persona të tjerë u arrestuan pas një bastisjeje me urdhër të Prokurorisë Themelore që u krye në pesë lokacione: në Prishtinë, Kamenicë e Viti, mbi dyshimet se mashtruan me monedha digjitale bitcoina.

Dy persona të tjerë të dyshuar për veprën e njëjtë të mashtrimit, nuk u kapën nga Policia, meqë nuk u gjetën në objektet ku u kryen bastisjet. 

Prokuroria njoftoi se të arrestuarit, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Personat me inicialet: B. Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoina, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave”, thuhet në një njoftim tjetër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në Prokurori kanë bërë të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar fatura e prova të tjera, të cilat do t’i shërbejnë procedurës penale.