Tre të mitur që janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për dhunimin e 11-vjeçares në kryeqytet, janë liruar nga paraburgimi.
Vendimi për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj G.R, G.J dhe Xh.S, është marrë të mërkurën nga Gjykata Supreme, bazuar në dispozitat ligjore, sipas të cilave, i mituri nuk mund të qëndrojë në paraburgim më shumë se gjashtë muaj.
“Gjykata Supreme, në rastin në fjalë, tre të miturve, ua ka ndërprerë masën e paraburgimit, deri në plotfuqishmërinë e vendimit, bazuar në dispozitat e Kodit për të mitur, sipas të cilave, i mituri nuk mund të qëndrojë në paraburgim më shumë se 180 ditë”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e kësaj gjykate, Antigona Uka.
Sipas aktgjykimit nga Supremja, tre të miturit lirohen për t’u mbrojtur në liri.
Numri i arrestimeve për dyshimet për dhunim të 11-vjeçares në muajin qershor dhe gusht të vitit të kaluar, kishte shkuar në 12.
Fillimisht ishin arrestuar 5 persona në fund të gushtit nën dyshimin për dhunim të saj në lagjen “Arbëria” në kryeqytet. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.
Më vonë u bë publik lajmi se 11-vjeçarja ishte pre e trafikimit dhe dhunimit edhe në qershor, kur ishte raportuar e zhdukur. Për këtë rast ishin arrestuar gjashtë persona.